Komuniteti shqiptaro-amerikan i dërgon letër Presidentit Trump: “Jeni paqebërësi i shekullit” – kërkohet mbështetje për njohjen reciproke Kosovë–Serbi

Organizata “Albanians for America” (AFA), së bashku me një numër organizatash të tjera të komunitetit shqiptaro-amerikan, i kanë drejtuar një letër të hapur ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, duke e cilësuar si “paqebërësin e shekullit” dhe duke kërkuar mbështetjen e tij për përmbylljen e procesit të njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në letrën e firmosur nga AFA dhe organizatat bashkëpunëtore theksohet nevoja urgjente për zbatimin e njohjes reciproke si zgjidhja e vetme për paqen afatgjatë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
“Njohja reciproke nuk është thjesht një formalitet diplomatik, është rruga më efektive dhe pragmatike përpara. Zgjatja e status quo-së është destabilizuese dhe rrezikon sigurinë rajonale dhe interesat amerikane,” thuhet në letrën e hapur.
Organizatat shqiptaro-amerikane i kanë bërë thirrje Presidentit Trump që të:
Riafirmojë publikisht mbështetjen e SHBA-së për njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si bazë për paqe të qëndrueshme;
Inkurajojë të dy vendet të finalizojnë njohjen dhe të angazhohen për bashkëpunim në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve;
Mbështesë mekanizma të fortë për zbatimin e plotë dhe të përkohshëm të marrëveshjeve ekzistuese.
Letra përmbyllet me një mesazh të qartë përkrahjeje për ish-Presidentin Trump, duke nënvizuar se komuniteti shqiptaro-amerikan është i gatshëm të mbështesë çdo përpjekje të tij për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për Kosovën.
“Faleminderit për angazhimin tuaj të vazhdueshëm për paqen përmes forcës dhe për udhëheqjen tuaj në këtë çështje të rëndësishme,” thuhet në përfundim të letrës.