Trump vlerëson Osmanin si “mike të vërtetë”, SHBA-ja thellon partneritetin me Kosovën

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka quajtur presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, një “mike të vërtetë” të Shteteve të Bashkuara dhe ka lavdëruar lidershipin e saj për bashkëpunimin me SHBA-në. Në një letër drejtuar Osmanit, Trump vlerëson forcën dhe dhembshurinë e popullit të Kosovës, duke e përshkruar vendimin e Kosovës për të pranuar qytetarë nga vende të tjera si një shembull të përkushtimit ndaj partneritetit ndërkombëtar.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respekt të ndërsjellë dhe vlera demokratike të përbashkëta”, ka shkruar Trump, duke theksuar se pret të vazhdojë bashkëpunimin me Osmanin në vitet në vijim.
Letra e presidentit amerikan vjen pak ditë pasi Administrata Trump miratoi vazhdimin e programit të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) për Kosovën – një projekt qindra milionë dollarësh që synon zhvillimin e energjisë së pastër në vend. Presidentja Osmani konfirmoi më 30 korrik se për këtë vendim ishte njoftuar zyrtarisht nga Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau.
Po ashtu, më 2 gusht, në Prishtinë qëndroi për vizitë Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes për Politikat Europiane dhe NATO-n, David Baker. Ai u takua me udhëheqësit më të lartë institucionalë të Kosovës, duke përfshirë presidenten Osmani, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Të gjitha palët ritheksuan përkushtimin për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe industrisë së mbrojtjes.
Ndërkohë, e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, në një intervistë për Gazetën Express ka theksuar se Kosova duhet të sigurojë funksionalitet institucional për të ruajtur dhe thelluar partneritetin me SHBA-në.
Ajo paralajmëroi se vonesat në krijimin e institucioneve dëmtojnë marrëdhëniet bilaterale dhe mund të kufizojnë bashkëpunimin në fusha të rëndësishme, si ekonomia, mbrojtja dhe investimet strategjike. “Administrata Trump kërkon aleatë të fortë dhe stabilë. Nëse Kosova ndan prioritetet e SHBA-së për siguri, stabilitet dhe zhvillim ekonomik, atëherë mundësitë për bashkëpunim janë pothuajse të palimituara”, theksoi diplomatja amerikane.
Sipas saj, Uashingtoni është i gatshëm të thellojë bashkëpunimin me Kosovën në fusha si energjia, infrastruktura, teknologjia dhe siguria kibernetike – por vetëm nëse qeveria e ardhshme e Kosovës tregon angazhim të qartë për këto prioritete të përbashkëta.