Peter Sorensen në Prishtinë: Bllokada politike po zvarrit dialogun Kosovë-Serbi

Emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ndonëse ka marrë zyrtarisht detyrën më 1 shkurt 2025, ka pasur mundësi të kufizuara për të shtyrë përpara procesin e dialogut mes dy vendeve. Arsyeja kryesore lidhet me zgjedhjet nacionale të mbajtura në Kosovë vetëm një javë pas emërimit të tij, të cilat kanë lënë vendin pa qeveri të re deri më sot.
Për shkak të kësaj bllokade disa mujore institucionale, procesi i dialogut me Serbinë ka shënuar pak progres, ndonëse janë zhvilluar disa takime në nivel kryenegociatorësh në Bruksel.
Të mërkurën, Sorensen zhvilloi një vizitë të paparalajmëruar në Prishtinë, ku u takua me krerët e shtetit dhe përfaqësues të partive politike. Pas takimeve, ai theksoi se situata politike në Kosovë mund të sjellë vonesa të mëtejshme në proces, por nënvizoi se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit mbetet urgjent.
“Sapo pata një takim me kryeministrin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani. Jam këtu për mandatin tim, për të diskutuar se si të zbatohet Marrëveshja e Ohrit, sepse situata politike këtu do të thotë se gjërat mund të zgjasin më shumë. Jam i lumtur që jam këtu”, deklaroi Sorensen.
Në një postim në platformën “X”, emisari danez theksoi rëndësinë e ecjes përpara:
“Vizitë produktive në Kosovë sot. Në të gjitha takimet e mia, theksova nevojën urgjente për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, tani më shumë se kurrë. Rruga drejt integrimit kalon përmes përparimit domethënës në Dialog. Koha për të ecur përpara.”
Kritika ndaj bllokadës politike në Kosovë kanë ardhur së fundmi edhe nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë. Ambasada ka shprehur zhgënjim që Kosova po humb një moment të favorshëm për dialog, në kohën kur “ekipi i ëndrrave” i BE-së ka marrë drejtimin në Bruksel.
Pritjet janë që nesër Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës të japë një vendim përfundimtar mbi krizën institucionale, duke përcaktuar pasojat për mosrespektimin e afatit kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit dhe duke ofruar rrugën për krijimin e institucioneve të reja.