IKD: Gjykata Kushtetuese mund të vazhdojë shqyrtimin e lëndës së presidentes Osmani

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, ka deklaruar se pavarësisht se presidentja Vjosa Osmani e ka tërhequr lëndën e saj nga Gjykata Kushtetuese, gjyqtarët mund ta trajtojnë atë më tej.
Sipas Shalës, kjo varet nga diskrecioni i Gjykatës Kushtetuese nëse do të vendosë ta vazhdojë shqyrtimin e çështjes apo jo. Ai ka bërë të ditur se bazuar në rregulloren e punës të Gjykatës Kushtetuese, në rast se kërkesa pranohet, kjo gjykatë ka të drejtë të vendosë për vazhdimin apo ndaljen e shqyrtimit.
“Në bazë të rregullores së punës, nëse Gjykata e vlerëson që shqyrtimi i çështjes është i nevojshëm për shkak të interesit publik ose nëse lidhet me të drejtat e dikujt që ka interes për t’u trajtuar, edhe pas tërheqjes së kërkesës nga ana e parashtruesit, ajo mund ta vazhdojë trajtimin e saj,” tha Shala.