Stuhi e fuqishme në Brezovicë, Daily Mail publikon pamje dramatike

Zona turistike e Brezovicës është goditur dje nga një stuhi e fuqishme shiu e shoqëruar me breshër, duke shkaktuar përmbytje të menjëhershme në rrugën që të çon drejt njërës prej destinacioneve më të njohura malore në Kosovë.
Pamjet dramatike nga kjo ngjarje janë shpërndarë edhe nga tabloidi britanik Daily Mail, i cili ka raportuar se disa automjete janë detyruar të ndalen për shkak të nivelit të lartë të ujit në rrugë.
“Makinat ishin pothuajse nën ujë”, shkruan Daily Mail, duke vënë në dukje intensitetin e jashtëzakonshëm të stuhisë.
Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohet për të lënduar, por dëmet materiale në infrastrukturë dhe automjete pritet të jenë të konsiderueshme. Autoritetet lokale u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjen drejt zonës derisa kushtet atmosferike të stabilizohen.