Kosova

BDI kërkon dorëheqjen e dy zëvendësministrave pas thirrjeve fashiste në një ndeshje basketbolli në Kumanovë

Partia më e madhe e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, dhe zëvendësministres për Sport, Safije Sadiki Shaini, për shkak të mosreagimit ndaj thirrjeve me përmbajtje fashiste kundër shqiptarëve gjatë një ndeshjeje basketbolli në Kumanovë.

Gjatë ndeshjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, në sallë u dëgjuan parulla si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazi për shqiptarët”, në prani të liderëve të lartë shtetërorë, përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryetarin e Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

Emir Sulejmani, anëtar i Kryesisë Qendrore të BDI-së, e cilësoi incidentin si një shfaqje të tmerrshme të urrejtjes etnike, duke dënuar heshtjen e institucioneve dhe mosreagimin nga Federata e Basketbollit, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qeveria.

“Ne nuk do të lejojmë që shqiptarët të bëhen shënjestër e thirrjeve fashiste në një shtet ku janë bashkëthemelues,” tha Sulejmani, duke paralajmëruar se BDI do të udhëheqë reagimin politik dhe qytetar deri në vendosjen e drejtësisë dhe ndëshkimin e përgjegjësve.

Ai u bëri thirrje përfaqësuesve shqiptarë në Qeveri që të distancohen publikisht nga ngjarja, të kërkojnë masa të rënda ndëshkuese dhe të tërhiqen nga një qeveri që, sipas tij, toleron gjuhën e urrejtjes.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button