Rritja e çmimeve në Shqipëri, Kurtishaj paralajmëron: Rrezikojmë shkatërrimin e turizmit shqipfolës

Ruzhdi Kurtishaj, një nga figurat më të njohura në fushën e turizmit dhe transportit, ka reaguar sërish ashpër ndaj rritjes së çmimeve në Shqipëri gjatë sezonit veror, duke e cilësuar këtë fenomen si një kërcënim serioz për të ardhmen e turizmit në vend.
Në një reagim të publikuar këtë fundjavë, Kurtishaj kujtoi se ky shqetësim është ngritur prej javësh në media të ndryshme në Kosovë, duke theksuar se çmimet e larta dhe të pakoordinuara në hotele dhe resorte po dëmtojnë përvojën e pushuesve. Sipas tij, situata ka marrë përmasa ndërkombëtare, pasi media italiane kanë raportuar për këtë fenomen, duke e konsideruar Shqipërinë si një destinacion gjithnjë e më të papërballueshëm për turistët.
“Ky shqetësim ka kaluar kufijtë dhe tashmë është bërë temë edhe në media ndërkombëtare. Gazetarë dhe portale italiane kanë raportuar për çmimet e papërballueshme që po i largojnë turistët,” deklaroi ai.
Kurtishaj përmendi edhe shqetësimet e ngritura nga figura të njohura publike, si Blendi Fevziu, si dhe promotorë të industrisë së turizmit, të cilët, sipas tij, po e shohin me alarm këtë situatë. Ai theksoi se turistët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk janë vetëm vizitorë sezonalë, por kontribuues të përhershëm në ekonominë shqiptare gjatë gjithë vitit.
“Nëse kjo kategori e rëndësishme ndjehet e përjashtuar apo e zhgënjyer nga çmimet e tepruara, pasojat nuk do të ndihen vetëm këtë verë, por do të jenë të thella dhe afatgjata,” u shpreh Kurtishaj.
Në përmbyllje të reagimit të tij, ai bëri thirrje për reflektim të menjëhershëm nga të gjithë aktorët në industrinë e turizmit:
“Turizmi nuk ndërtohet mbi abuzime dhe fitime të shpejta. Kërkohet planifikim, përgjegjësi dhe ndërtim i një marrëdhënieje të ndershme me turistët. Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm, por nuk duhet ta rrezikojmë atë për shkak të lakmisë sezonale.”