Ish-ushtari i UÇK-së zbulon çfarë ndodhi pas dyerve të mbyllura para votimit për Specialen

Me 3 gusht 2015, Kuvendi i Kosovës miratoi me 82 vota pro amendamentin kushtetues që hapi rrugën për themelimin e Gjykatës Speciale me seli në Hagë. Seanca maratonike u karakterizua nga tensione dhe kundërshtime të forta nga opozita e asaj kohe, por pavarësisht kësaj, procesi i votimit u zhvillua dhe u përmbyll me miratimin e propozimit.
Ndër pesë deputetët që votuan kundër krijimit të kësaj gjykate ishte edhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Demaku. Ai kujton se situata në Kuvend ishte jashtëzakonisht e tensionuar dhe se presioni ndërkombëtar dhe vendor ishte i madh. Megjithatë, Demaku thotë se mbeti i bindur në qëndrimin e tij.
“Vetë mënyra se si është kërkuar të krijohet ajo gjykatë, formati i saj dhe pretendimi njëetnik që të ndiqen vetëm krimet e UÇK-së, më kanë bërë të mendoj që diçka nuk është në rregull. Nuk e kam parë si një gjykatë në funksion të drejtësisë, por si një kompromis politik ndërkombëtar për të goditur neve në raport me Serbinë”, deklaroi ai për Tëvë1.
Ai shtoi se përpara votimit, grupi parlamentar i PDK-së kishte zhvilluar disa mbledhje ku ishte shprehur qartë edhe qëndrimi i kryetarit të partisë së atëhershme, Hashim Thaçi.
“Zoti Thaçi ka dashur të japë një mesazh të qartë përpara bashkësisë ndërkombëtare, se ne nuk kemi asgjë për të fshehur. Ai donte të tregonte gatishmëri të plotë të tij dhe të partisë për të bashkëpunuar”, tha Demaku.
Sot, dhjetë vjet pas këtij vendimi historik, Demaku deklaron se nuk është pishman për votën e tij kundër dhe se zhvillimet e mëvonshme, përfshirë proceset gjyqësore ndaj udhëheqësve të UÇK-së, ia kanë forcuar bindjen.
“E shoh këtë gjykatë si të politizuar dhe të shtyrë nga qarqe që nuk janë miq të Kosovës”, theksoi ai.
Gjykata Speciale tashmë ka shqiptuar dënimet e para, ndër to ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala.