Kosova

Moti sot në rajon: Rrebeshe të fuqishme, bubullima dhe ulje temperaturash

Kosova dhe rajoni po përballen sot me një destabilizim të fuqishëm të atmosferës, duke sjellë rrebeshe lokale shiu, bubullima dhe mundësi për breshër. Sipas MeteoBallkan, gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit janë regjistruar zhvillime të stuhive të izoluara shiu, të shoqëruara me vetëtima.

Paraditja pritet të sjellë intervale të shkurtra me diell dhe vranësira lokale, por në vijim të ditës dhe sidomos pasdite, moti do të përkeqësohet ndjeshëm. Parashikohen zhvillime të fuqishme konvektive që do të shoqërohen me rrebeshe intensive shiu, vetëtima të shpeshta dhe ndonjë shtrëngatë lokale të fuqishme. Temperaturat do të shënojnë një rënie të ndjeshme.

Gjendje e ngjashme pritet edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi, ku përveç intervaleve të shkurtra me diell, do të ketë zhvillime të dendura vranësirash dhe kalime shtrëngatash me reshje të mëdha, të cilat nuk do të shpërndahen njëtrajtshëm në të gjitha zonat.

Moti të Martën dhe të Mërkurën

E Marta do të vijojë me kushte të paqëndrueshme atmosferike dhe mot relativisht të freskët. Intervalet me diell do të ndërpriten nga vranësira të shpeshta, të cilat pritet të sjellin sërish rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Më të rrezikuara nga shtrëngatat do të jenë disa rajone të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por reshje të izoluara janë ende të mundshme edhe në Kosovë.

Të Mërkurën pritet përmirësim gradual i motit me periudha më të gjata me diell dhe reshje më të rralla. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia e ndonjë shiu të izoluar.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button