Dua Lipa ndez skenën e Sunny Hill në Prishtinë: Performon hitet më të mëdha dhe këndon me babanë “Erën” e Gjurmëve

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, electrizoi mbrëmë publikun e Prishtinës me një performancë të paharrueshme në natën e parë të Festivalit Sunny Hill. Ajo solli disa nga hitet më të mëdha të karrierës së saj, duke ndezur atmosferën me energjinë karakteristike dhe karizmën në skenë.
Por momenti më emocional i mbrëmjes ishte kur Dua ndau skenën me babanë e saj, Dukagjin Lipa, për të interpretuar së bashku këngën legjendare të grupit Gjurmët, “Era”. Interpretimi solli një valë nostalgjie dhe krenarie për publikun, duke shënuar një ndër kulmet e natës.
Dua nuk kurseu emocionet as jashtë skene. Në një postim në Instagram, ajo u shpreh thellësisht mirënjohëse dhe e prekur nga përjetimi:
“Ky festival është diçka që unë dhe familja ime e krijuam me shumë dashuri për qytetin tonë, PRISHTINËN, dhe ta shohësh të realizohet kështu është përtej çdo gjëje që mund të kisha ëndërruar,” shkroi ajo. “Të performoj për ju dhe të ndaj skenën me babanë tim Dukagjin Lipa, ishte një moment që nuk do ta harroj kurrë.”
Ajo falënderoi publikun edhe gjatë koncertit, duke iu drejtuar atyre në shqip dhe duke thënë: “JU DUA me krejt zemrën!”
Festivali Sunny Hill, që tashmë është kthyer në një ndër ngjarjet më të mëdha muzikore në rajon, vazhdon edhe me dy net të tjera plot muzikë, emocione dhe yje të skenës ndërkombëtare dhe vendore.