Bota

Valë të nxehti e paprecedent godet vendet nordike: Temperatura mbi 30°C për javë të tëra

Një valë të nxehti e përshkruar si “vërtet e paprecedent” ka përfshirë vendet nordike, me temperatura që kanë kapur nivele rekord në Norvegji, Finlandë dhe Suedi. Stacionet meteorologjike në rajone pranë ose brenda Rrethit Arktik kanë regjistruar temperatura mbi 30°C për më shumë se dy javë, duke thyer rekorde të vendosura dekada më parë.

Në Norvegji, një stacion në veri të vendit regjistroi temperatura mbi 30°C për 13 ditë gjatë muajit korrik. Ndërkohë, Finlanda ka përjetuar tri javë me radhë me temperatura mbi 30°C – periudha më e gjatë me këto kushte që nga viti 1961 dhe 50% më e gjatë se rekordi i mëparshëm, sipas “The Guardian”.

“Valë të nxehti vërtet e paprecedent është ende në kulmin e saj, me temperatura maksimale sot rreth 32–33°C,” tha Mika Rantanen, shkencëtar i klimës pranë Institutit Meteorologjik Finlandez.

Edhe në Suedi, vala ka qenë afatgjatë. Në Haparanda, temperaturat kanë qenë mbi 25°C për 14 ditë rresht, ndërsa në Jokkmokk të Laplandës, 15 ditë rresht. “Për të gjetur një periudhë më të gjatë me të tilla temperatura në këto zona, duhet të kthehesh më shumë se një shekull pas,” deklaroi Sverker Hellström nga Instituti Suedez për Meteorologji dhe Hidrologji.

Sipas ekspertëve, vala e të nxehtit është nxitur nga ujërat e ngrohta në brigjet veriore të Norvegjisë dhe një zonë presioni të lartë që ka qëndruar stabile, duke sjellë temperatura 8–10°C mbi mesataren sezonale. Përveç të nxehtit përvëlues, rajoni është goditur edhe nga stuhi dhe rrufe që kanë shkaktuar zjarre pyjore.

Moti ekstrem ka pasur ndikim të madh në jetën e përditshme. Në veri të Finlandës, një pistë akulli u hap për qytetarët që kërkonin freski, pasi spitali lokal nuk përballonte më fluksin e pacientëve nga nxehtësia. Ndërkohë, barinjtë paralajmëruan për rrezik jete për renat e tyre për shkak të kushteve ekstreme. Edhe turistët, të cilët kishin zgjedhur Skandinavinë për “pushime të freskëta”, janë përballur me paralajmërime për të nxehtë të rrezikshëm.

Shkencëtarët paralajmërojnë se me përparimin e ndryshimeve klimatike, valët ekstreme të të nxehtit do të bëhen më të shpeshta, më të forta dhe më afatgjata. Shtete si Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia dhe Zvicra pritet të përjetojnë rritjen më të madhe relative të ditëve me të nxehtë të padurueshëm, ndërsa infrastruktura e tyre, e ndërtuar për klimë të ftohtë, është e papërgatitur për këto ndryshime të menjëhershme klimatike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button