Kosova

Ukraina drejt njohjes së Kosovës: Deklarata e deputetes ukrainase

Deputetja e njohur ukrainase, Ivanna Klympush Tsintsadze, ka deklaruar se njohja e Kosovës nga Ukraina është vetëm çështje kohe. Në një intervistë për Klan News, ajo theksoi se vendimi për njohjen e shtetësisë së Kosovës pritet të merret së shpejti, duke vlerësuar se kjo çështje nuk do të mbetet më pezull për një kohë të gjatë.

“Unë besoj se në të ardhmen e afërt Ukraina do ta njohë Kosovën. Nuk do të jetë më një çështje e hapur. Besoj se Ukraina do ta marrë vendimin e duhur që pritet nga populli në Kosovë,” u shpreh deputetja.

Klympush Tsintsadze shprehu mirënjohje të thellë për popullin shqiptar, duke theksuar mbështetjen e jashtëzakonshme që Shqipëria dhe qytetarët e saj i kanë dhënë Ukrainës në këtë periudhë të vështirë.

“Jam shumë mirënjohëse për ndihmën që kanë dhënë qytetarët e Shqipërisë, ata janë në anën e duhur të historisë,” theksoi ajo, duke vënë në dukje edhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve në arenën ndërkombëtare, si në fushën politike, ashtu edhe në atë ushtarake dhe humanitare.

Ajo zbuloi se mes Ukrainës dhe Shqipërisë janë arritur disa marrëveshje në fushën e sigurisë për vitet në vijim dhe nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të kësaj mbështetjeje në rrugëtimin euroatlantik të Ukrainës.

“Shpresojmë që Shqipëria do të vijojë me këtë mbështetje për Ukrainën që të bëhet shtet anëtar i NATO-s dhe së bashku ne do të arrijmë të gjitha objektivat për të qenë pjesë e Bashkimit Europian,” tha ndër të tjera deputetja ukrainase.

Kjo deklaratë vjen në një moment të rëndësishëm për Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe përforcon pritshmëritë për zgjerimin e njohjeve diplomatike, veçanërisht nga vende me peshë si Ukraina.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button