Specialja pranon prova nga Serbia, OVL e UÇK-së kërkon mbështetje në ambasadën gjermane

Gjykata Speciale në Hagë ka vendosur të pranojë disa dokumente si prova, të cilat janë dorëzuar nga autoritetet e Serbisë me kërkesë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ky veprim ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë, veçanërisht nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK).
Në këtë kuadër, një delegacion i OVL UÇK-së i kryesuar nga kryetari Hysni Gucati, është pritur në një takim zyrtar në ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë. Delegacioni është pritur nga zëvendësshefi i misionit të Gjermanisë në Kosovë, Christian Boettcher.
Përmes një njoftimi, organizata ka theksuar rëndësinë e partneritetit me Gjermaninë, duke e cilësuar këtë shtet si një mik të madh të Kosovës dhe me rol të pazëvendësueshëm në çlirimin dhe ndërtimin e vendit.
“E falënderojmë zëvendësshefin e misionit për mikpritjen dhe për gatishmërinë për të dëgjuar shqetësimet tona lidhur me zhvillimet në Gjykatën Speciale në Hagë. Njëkohësisht, kërkuam mbështetje nga shteti mik Gjermania, për të garantuar një proces të drejtë dhe të paanshëm për të gjithë të akuzuarit”, thuhet në deklaratën e OVL UÇK-së.
Ndërkohë, për nesër është paralajmëruar një protestë kundër Gjykatës Speciale në Prishtinë. Ajo pritet të fillojë në ora 17:00, në sheshin “Skënderbeu”, ku qytetarët do të shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj mënyrës së zhvillimit të procesit gjyqësor dhe pranimit të dokumenteve nga Serbia si prova.