Osmani lavdëron vendimin për heqjen e tarifës 10% ndaj produkteve amerikane: “Kosova, partner i besueshëm i SHBA-së”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur vendimin për heqjen e tarifës 10 për qind ndaj produkteve amerikane, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve me aleatin kryesor të Kosovës – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani ka rikujtuar se muaj më parë kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës largimin e kësaj tarife, duke shprehur krenarinë që Kosova është vendi i parë në rajon që ka propozuar heqjen e të gjitha barrierave tregtare ndaj SHBA-së.
“Që nga sot, hyn në fuqi vendimi i Kosovës për një tarifë ZERO për të gjitha mallrat amerikane. Jemi krenarë që kemi qenë vendi i parë që propozoi heqjen e të gjitha barrierave ndaj aleatit tonë më strategjik,” ka shkruar Osmani.
Në postimin e saj, Presidentja nuk ka përmendur fare Qeverinë e Kosovës si autoren e vendimit, duke e zhvendosur fokusin në angazhimin e saj personal për këtë nismë.
Ajo ka etiketuar edhe presidentin amerikan, Donald Trump, duke theksuar: “Kosova është partneri juaj i besueshëm në përpjekjet tuaja për ta bërë Amerikën dhe aleatët e saj më të fortë, më të sigurt dhe më të begatë.”
Ky zhvillim pritet të reflektojë pozitivisht në marrëdhëniet ekonomike dhe diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, në një kohë kur partneriteti strategjik ndërmjet dy vendeve mbetet kyç për sigurinë dhe zhvillimin e rajonit.