Kompromisi politik, çelësi për zgjidhjen e krizës institucionale në Kosovë

Në një periudhë kur vëmendja publike është përqendruar në vendimin e pritshëm të Gjykatës Kushtetuese, zërat për nevojën e kompromisit politik si rrugëdalje nga kriza institucionale po shtohen gjithnjë e më shumë.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka theksuar se megjithëse Kushtetuta dhe ligjet ofrojnë kuadrin e nevojshëm, zgjidhja e kësaj situate duhet të vijë përmes një marrëveshjeje politike ndërmjet partive.
“Sipas mendimit tim, ende jemi në një fazë ku pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, në fund të fundit, kjo është një çështje që duhet të zgjidhet përmes kompromisit politik ndërmjet partive. Kjo është në thelb zemra e problemit,” deklaroi Hargreaves në një intervistë për Radio Gorazhdevci.
Nga ana tjetër, nënkryetari i Partisë Guxo, Haxhi Avdyli, pjesë e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, tha se koalicioni fitues ka bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për të zhbllokuar ngërçin, duke akuzuar partitë ish-opozitare për destruktivitet dhe mungesë vullneti.
“Koalicioni ynë fitues ka bërë kompromiset e nevojshme për krijimin e institucioneve, duke përfshirë ftesat për koalicion ndaj LDK-së dhe Nismës… por kjo ka hasur në vesh të shurdhër. Përveç Nismës, partitë opozitare janë treguar shumë destruktive në ofrimin e një zgjidhjeje,” deklaroi Avdyli për RTV21.
Ai shtoi se tanimë gjithçka varet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të cilin, sipas tij, koalicioni do ta respektojë, çfarëdo që të jetë përfundimi i saj.
Kriza aktuale institucionale ka nxitur shqetësime si brenda vendit, ashtu edhe tek partnerët ndërkombëtarë, të cilët vazhdojnë të bëjnë thirrje për dialog politik dhe përgjegjësi shtetërore.