Gjykata Komerciale anulon pjesërisht vendimin e ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë – Bizneset kërkojnë anulim të plotë

Gjykata Komerciale e Kosovës ka anuluar pjesërisht vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që obligonte kalimin e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike, duke e cilësuar si të kundërligjshëm dhe të zbatuar në kundërshtim me procedurat ligjore.
Sipas aktgjykimit KA.nr.301/25, Gjykata ka vendosur të anulojë pikën IV të vendimit të ZRRE-së nr.275/24 të datës 5 prill 2024, si dhe tërësisht njoftimin e 12 marsit 2025, i cili detyronte bizneset me mbi 50 punëtorë apo me qarkullim mbi 10 milionë euro në vit të kalonin në tregun e hapur nga data 1 qershor. Vendimi gjyqësor hyn në fuqi menjëherë dhe ka efekt të drejtpërdrejtë juridik, duke pezulluar përkohësisht zbatimin e tij deri në një vendim përfundimtar.
Megjithatë, Zyra e Rregullatorit për Energji ka reaguar duke mohuar se ky vendim i Gjykatës e anulon tërësisht procesin e liberalizimit të tregut. Burime të Kosovapress brenda ZRRE-së theksojnë se vendimi vlen vetëm për një rast specifik dhe nuk ka efekt të përgjithshëm për të gjitha bizneset. Sipas tyre, vendimi i ZRRE-së mbetet në fuqi për të gjitha subjektet që nuk janë përfshirë në këtë kontest gjyqësor dhe është në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Në anën tjetër, bizneset dhe Oda Ekonomike e Kosovës e kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës, duke e cilësuar si një konfirmim të shkeljeve në procesin e tranzicionit dhe duke kërkuar anulimin e plotë të liberalizimit. Ato paralajmërojnë pasoja të rënda ekonomike në rast se zbatimi i këtij procesi vazhdon.
Aktualisht, mbi 1.300 biznese private janë pjesë e tregut të hapur të energjisë në Kosovë.
Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë është i paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë disa herë për shkak të rrethanave të ndryshme. Në vendet e Bashkimit Evropian, ky proces ka filluar në fund të viteve ’90, me synim rritjen e konkurrencës, efikasitetit dhe sigurisë për konsumatorët, ndërsa në rajonin e Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë në zhvillim.