Parashikimi i motit: Sot reshje lokale në disa zona, fundjava sjell stabilizim të kushteve atmosferike

Në Kosovë sot pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpeshta, të cilat në disa zona do të shoqërohen me riga dhe rrebeshe lokale shiu, kryesisht në viset malore, me theks të veçantë në jug dhe lindje të vendit. Temperaturat do të qëndrojnë të ngjashme me ditët e mëparshme, ndërsa ajo maksimale pritet të arrijë deri në 27°C.
Në rajon, përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi, dita e Enjte parashikohet të jetë përgjithësisht me diell dhe vranësira lokale. Gjatë orëve të pasdites, zhvillime të rrebesheve të shkurtra shiu me vetëtima dhe bubullimë priten në jug dhe lindje të Shqipërisë si dhe në perëndim të Maqedonisë së Veriut. Rrebeshe më të izoluara mund të paraqiten edhe në veri të Shqipërisë, Mal të Zi dhe në zona të tjera të Maqedonisë së Veriut.
E Premtja dhe fundjava sjellin një përmirësim të dukshëm të motit në të gjithë rajonin. Parashikohet mot më stabil, me më shumë rreze dielli dhe temperatura në rritje. Rrebeshe të izoluara shiu mund të shfaqen vetëm në disa zona kodrinore-malore gjatë orëve të vona të ditës.
Ndërkohë, dita e Hënë sipas parashikimeve aktuale meteorologjike, mund të sjellë rrebeshe intensive shiu të shoqëruara me vetëtima dhe bubullimë në shumë pjesë të vendit, çka nënkupton një rikthim të përkohshëm të paqëndrueshmërisë atmosferike.