809 qytetarë të punësuar në veri përmes masës “Qeveria për Familjet” – Mbi 1,000 vende pune ende të lira

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se 809 qytetarë nga komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut janë punësuar deri më tani përmes masës “Qeveria për Familjet”.
Sipas njoftimit, kjo masë mbështet punësimin përmes subvencionimit deri në 70 për qind të pagës bruto për një periudhë prej gjashtë muajsh.
“Falë interesimit nga ana e bizneseve, aktualisht janë të hapura mbi 1,000 vende të lira pune, të cilat presin të plotësohen me punëkërkues të regjistruar në Zyrat e Punësimit”, thuhet në njoftim.
Ministria ka ftuar të gjithë qytetarët që jetojnë në këto komuna të regjistrohen pranë Zyrave të Punësimit për të përfituar nga kjo mundësi.
Kjo masë është pjesë e përpjekjeve të Qeverisë për të ndihmuar zhvillimin ekonomik dhe përfshirjen në tregun e punës në komunat veriore të Kosovës.