Kosova

Ambasada Italiane reagon ndaj propagandës rreth FSK-së në Ujman: Mbështetje e plotë për KFOR-in dhe komandantin Barduani

Ambasada Italiane në Kosovë ka reaguar pas mënyrës se si u përdor politikisht ngjarja tragjike e një dite më parë në liqenin e Ujmanit, ku një 33-vjeçar humbi jetën dhe trupin e tij e kërkuan zhytësit e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Prania e FSK-së në veri u shfrytëzua nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, për të promovuar narrativën e saj për “çlirimin e veriut”, edhe pse FSK ka ndërhyrë më parë në këtë zonë për misione humanitare. Imazhet dhe deklaratat publike të publikuara nga pushteti u kritikuan nga diplomatë të huaj, përfshirë ambasadorët gjerman dhe francez, për përdorim politik të një operacioni me karakter humanitar.

Të mërkurën, në një deklaratë zyrtare, Ambasada e Italisë në Kosovë shprehu “mbështetje të plotë” për Misionin e KFOR-it dhe komandantin italian të tij, Enrico Barduani.

“Duke iu referuar narrativës në lidhje me operacionet e djeshme të kërkim-shpëtimit në liqenin e Ujmanit/Gazivodës, Ambasada e Italisë në Kosovë shpreh mbështetjen e saj të plotë për Misionin e KFOR-it dhe për Komandantin e KFOR-it, i cili veproi brenda kufijve të mandatit të tij, në rrethanat fatkeqe që e bënë të nevojshme ndërhyrjen e ekipit për arsye humanitare,” thuhet në reagimin e ambasadës.

Po ashtu, Ambasada italiane rikujtoi rëndësinë dhe rolin pozitiv që KFOR-i ka luajtur ndër vite në Kosovë, veçanërisht në situata delikate si kjo e fundit.

Kujtojmë se vetë KFOR-i një ditë më parë konfirmoi se ishte ai që dha leje për ndërhyrjen e FSK-së në veri, për shkak të natyrës urgjente dhe humanitare të operacionit, në përputhje me marrëveshjen që ndalon angazhimin ushtarak të FSK-së në këtë pjesë të territorit pa pëlqimin e NATO-s.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button