Fabrika “Ambrella” nga Kumanova synon tregun kosovar, takon drejtuesit e Aleancës Kosovare të Bizneseve

Në ambientet e Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), të hënën është mbajtur një takim i rëndësishëm mes kryetarit të AKB-së, Agim Shahini, dhe pronarit të fabrikës “Ambrella” nga Kumanova, Sami Mustafa. Kjo fabrikë prodhon roleta ekskluzive nga alumini, duke përdorur materiale të certifikuara 100% zvicerane, gjermane dhe italiane.
Takimit iu bashkua edhe anëtari i Bordit të AKB-së, Shkëlzen Jusaj, ku u diskutua konkretisht mundësia që produktet e “Ambrella”-s të jenë së shpejti të pranishme në tregun e Kosovës. Po ashtu, u shpreh interesi që kjo kompani të bëhet pjesë e komunitetit të bizneseve vendore dhe anëtare e AKB-së.
Sami Mustafa theksoi se produktet e “Ambrella” janë të pajisura me mekanizma digjitalë, të certifikuara dhe ofrojnë garanci deri në 10 vjet. Ai vlerësoi zhvillimin e shpejtë të sektorit të ndërtimit në Kosovë dhe tha se vendi është shndërruar në një treg tërheqës për produkte moderne dhe të qëndrueshme.
“Kosova nuk është më një treg emergjent, por një treg me kërkesa të larta për cilësi dhe ekskluzivitet. Kjo e bën vendin tuaj një mundësi serioze për prodhues si ne,” u shpreh Mustafa.
Nga ana tjetër, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, theksoi përkushtimin e AKB-së për të mirëpritur dhe mbështetur prodhues serioz.
“Mirë se vini në Kosovë me produktet tuaja dhe mirë se vini në AKB,” deklaroi Shahini.