Aktakuzë për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik në Suharekë, dëm prej mbi 13 mijë euro

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj katër të pandehurve nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik, për një rast të ndodhur në Komunën e Suharekës, i cili dyshohet se i ka shkaktuar kësaj komune dëm material prej mbi 13 mijë eurosh.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza është ngritur ndaj B.K., zyrtar i lartë për menaxhimin e projekteve dhe menaxher i një kontrate publike, dhe E.Sh., mbikëqyrës i drejtpërdrejtë i kontratës, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ndërsa ndaj D.S., përfaqësues i kompanisë private “S.C.O” Sh.P.K., si dhe ndaj vetë kompanisë, është ngritur aktakuzë për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”.
Sipas aktakuzës, nga data 13 korrik deri më 12 dhjetor 2022, në projektin “Ndërtimi i rrugëve lokale Lot 8 – lot5 Nëntori i dytë, ‘Xhemajl Morina’, Mehmet Bytyqi – segment në Reshtan”, të pandehurit kanë përpiluar raporte dhe dokumente fiktive për punime që nuk janë kryer sipas kontratës. Kështu, janë bërë pagesa në vlerë prej 24.945,32 euro për punime që në realitet nuk janë realizuar, ndërsa vlera e punimeve të kryera ishte 13.272,66 euro më e ulët se ajo e faturuar. Ky diferencim është cilësuar si dëm material ndaj Komunës së Suharekës.
Prokuroria thotë se punimet që nuk u kryen sipas kontratës fillestare, më vonë janë realizuar me një kontratë tjetër të nënshkruar më 22 nëntor 2022, për të njëjtat segmente rrugësh.
Po ashtu, i pandehuri D.S., në cilësinë e drejtorit të “S.C.O” Sh.P.K., në bashkëpunim me zyrtarët komunalë, ka përpiluar procesverbale dhe situacione të rreme, duke lëshuar dy fatura – një në vlerë prej 15,000 euro dhe një tjetër prej 9,945.32 euro – për punë që nuk ishin realizuar sipas kontratës. Ekspertiza ndërtimore ka vërtetuar se gjendja në terren ishte e parealizuar.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që pas administrimit të provave, të gjithë të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.