Moti për Kosovën dhe rajonin – Fillimi i javës me reshje dhe ulje temperaturash

Sot në Kosovë pritet një ditë me mot të ndryshueshëm – me diell dhe vranësira lokale. Gjatë ditës mund të ketë rrebeshe të izoluara shiu, të shoqëruara me vetëtima dhe bubullimë. Ndërkaq, në orët e pasdites dhe në mbrëmje parashikohen zhvillime më të fuqishme të vranësirave konvektive që do të sjellin rrebeshe më të përhapura, por sërish të lokalizuara.
Një valë më e gjerë reshjesh parashihet të arrijë gjatë natës ose në orët e para të mëngjesit të së martës, kur reshjet do të përfshijnë më shumë territore. Temperaturat do të pësojnë rënie, me atë maksimale që do të arrijë deri në 31°C.
Në Shqipëri, dita e sotme do të karakterizohet nga mot me diell dhe vranësira lokale. Vranësirat do të jenë më të theksuara në pjesën veriore të vendit, ku parashikohen reshje lokale dhe të herëpashershme. Gjatë natës, reshjet do të shtrihen edhe në pjesët qendrore të vendit dhe në bregdet, ku vende-vende mund të shfaqen rrebeshe intensive.
Në Mal të Zi, pasditja pritet të sjellë reshje dhe rrebeshe shiu, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dhe Luginën e Preshevës do të mbizotërojë mot kryesisht me diell, me reshje të pakta dhe të izoluara.
E marta do të jetë dukshëm më e freskët dhe me më shumë reshje, veçanërisht në Kosovë, Mal të Zi dhe në veri të Shqipërisë. Në pjesët tjera të rajonit priten më pak reshje, por moti do të jetë më i freskët dhe me intervale me diell.
Të mërkurën pritet mot me reshje të pakta dhe të lokalizuara, ndërsa të enjten rrebeshet e shiut zhvendosen drejt jugut, juglindjes dhe lindjes së Shqipërisë, si dhe në pjesë të Maqedonisë së Veriut.