Përkujtim dhe nderim për policët e rënë në detyrë: 14 vjet nga rënia e Heroit Enver Zymeri

Në 14-vjetorin e rënies së Heroit Enver Zymeri dhe në Ditën Memoriale të zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës, në oborrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Prishtinë u mbajtën homazhe në nderim të sakrificës së tyre.
Në këtë ceremoni shtetërore morën pjesë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtori i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, si dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Gjatë fjalës së tij, Kurti theksoi kontributin e Policisë së Kosovës si një forcë multietnike dhe të pathyeshme:
“Jemi këtu te lapidari i policëve të rënë në detyrë, 24 gjithsej në Kosovën e pasluftës. Dua të theksoj heroin Enver Zymerin dhe Afrim Bunjakun që ranë në detyrë. Policia e Kosovës është një forcë multietnike që u sulmua shpesh, por gjithnjë doli fitimtare. Kemi dhimbje e pikëllim, kemi shumë mall, por kemi edhe krenari. Lavdi të gjithë policëve të Kosovës, të rënë në krye të detyrës,” u shpreh Kurti.
Gjatë ditës do të zhvillohen homazhe pranë varreve të heronjve Afrim Bunjaku dhe Enver Zymeri, si dhe vizita zyrtare në familjet e tyre. Po ashtu, janë paraparë nderime edhe pranë lapidarit në vendin ku ra heroikisht Enver Zymeri.
Ceremonitë përkujtimore do të përmbyllen në orën 17:00 me pritjen zyrtare të marshuesve në Qendrën për Trajnim për Kërkim-Shpëtim “Berim” në Zubin Potok – Ujman.