Punonjësit në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë përballen me temperatura ekstreme deri në 33°C

Në Pallatin e Drejtësisë, kushtet e punës po përkeqësohen për shkak të mungesës së klimatizimit funksional. Temperaturat brenda godinës kanë arritur deri në 33 gradë Celsius, duke e bërë ambientin të papërshtatshëm për punë dhe duke rrezikuar seriozisht shëndetin e punonjësve.
Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, janë raportuar edhe raste të alivanosjes nga të nxehtit, ndërsa disa seanca gjyqësore janë detyruar të anulohen. Për të përballuar situatën, stafi i administratës po punon me orar të reduktuar.
Problemi me ajrosjen dhe sistemin e klimatizimit nuk është i ri. Ai është përsëritur gjatë çdo vere, por pavarësisht ankesave dhe raportimeve të vazhdueshme, institucionet përgjegjëse ende nuk kanë ofruar një zgjidhje konkrete.
Kjo situatë po ngre shqetësime të mëdha mbi sigurinë dhe dinjitetin e punës në institucionet gjyqësore të vendit, në një kohë kur drejtësia kërkon jo vetëm pavarësi, por edhe kushte të denja për funksionim.