Kosova

IKD: Kosova nga krizë politike në kaos institucional – Po humben miliona euro për shkak të mungesës së Kuvendit

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka ngritur alarmin për gjendjen aktuale në vend, duke e cilësuar situatën si një kaos institucional të paparë deri më tani, për shkak të mungesës së Kuvendit të konstituar dhe pamundësisë për të funksionuar një qeveri me kompetenca të plota.

Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, deklaroi se kriza politike është thelluar në një gjendje kaotike, me pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e institucioneve dhe interesat strategjike të shtetit.

“Nuk kemi Kuvend të konstituar dhe, rrjedhimisht, nuk kemi as kontroll parlamentar ndaj qeverisë në detyrë. Ky është një kaos institucional që po rrezikon themelet kushtetuese të vendit,” tha Miftaraj për EO.

Ai theksoi se përbërja aktuale e qeverisë bie ndesh me vendimin e Gjykatës Supreme, pasi disa ministra vazhdojnë të ushtrojnë funksionin edhe si deputetë, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin.

“Qeveria aktuale, edhe pse në detyrë, nuk ka kuorum për të marrë vendime. Tetë ministra janë njëkohësisht deputetë, çka është në papajtueshmëri të plotë me Kushtetutën,” shtoi ai.

Paralizë edhe në institucionet e pavarura
Miftaraj paralajmëroi se mungesa e Kuvendit po paralizon edhe institucionet e pavarura dhe bordet publike, të cilat nuk kanë më kuorum për të funksionuar.

“IKD ka publikuar një raport që tregon se një numër i madh institucionesh tashmë nuk mund t’i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre. Jemi në prag të skadimit të mandateve për borde të tjera, çka rrezikon një kolaps të përgjithshëm institucional,” theksoi ai.

Rrezikohen miliona euro ndihmë ndërkombëtare
Një tjetër shqetësim i madh është bllokimi i ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, që sipas Miftarajt, po i kushton Kosovës qindra miliona euro humbje.

“Vetë presidentja e ka sqaruar se në mungesë të Kuvendit, Kosova nuk mund të ratifikojë marrëveshjen për Planin e Rritjes prej 886 milionë eurosh, si dhe dhjetëra marrëveshje tjera bilaterale me shtete si Franca dhe Gjermania. Bëhet fjalë për ndihma të konsiderueshme financiare,” paralajmëroi ai.

Sipas IKD-së, çdo ditë e mëtejme pa një Kuvend funksional po dëmton rëndë mirëqenien e qytetarëve dhe po minon interesat strategjike të Kosovës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button