Kosova

Sot vendoset fati i Kuvendit: Nëse dështon konstituimi, Kosova hyn në territor të panjohur

Sot është dita e fundit kur deputetët e Kosovës mund të përmbushin detyrimin e tyre kushtetues për ta konstituar Kuvendin. Nëse dështon edhe përpjekja e 53-të, vendi do të hyjë në një situatë të paprecedentë, të cilën Gjykata Kushtetuese e ka quajtur “territor të panjohur”.

Për 29 ditë rresht, Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet, ndërsa edhe për sot mungojnë sinjalet pozitive se bllokada do të zhbllokohet. Në rast të dështimit, masa e përkohshme e Kushtetueses ndalon çdo mbledhje të deputetëve për dy javët e ardhshme, derisa të jepet një aktgjykim përfundimtar.

Seanca e fundit u zhvillua dje, me praninë e ambasadorëve perëndimorë që shprehën zhgënjim të thellë për situatën. Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha se Kosovës i nevojitet një Kuvend funksional dhe një qeveri e re që do ta përshpejtojë rrugën drejt integrimit evropian.

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, e quajti vendimin e Kushtetueses një “karton të kuq” për klasën politike, ndërsa ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, paralajmëroi për humbje të përfaqësimit politik dhe rrezik për vendimmarrjen institucionale.

Shpresa e vetme për një zhbllokim mbetet një marrëveshje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës. Por pozicionet janë të kundërta: Nisma kërkon postin e kryeparlamentarit për Fatmir Limajn, ndërsa Vetëvendosje e kundërshton me arsyetimin se partia me vetëm 3 deputetë nuk mund të ketë një post kaq të lartë.

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, vazhdoi të qëndrojë në heshtje edhe në seancën e djeshme, duke shmangur përgjegjësinë për krijimin e shumicës si partia fituese. Ndërkaq, liderët e partive të tjera bënë thirrje që të mos shkelet Kushtetuta dhe të votohet me procedurë të hapur.

Nëse edhe sot nuk zgjidhet asgjë, pason një krizë edhe më e thellë politike, me pasoja të panjohura për funksionimin institucional të vendit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button