E shtuna me temperatura deri në 42°C – Nga e diela rikthehen rrebeshet dhe freskimi i motit

Kosova po përjeton kulmin e valës së të nxehtit që ka mbërthyer vendin gjatë kësaj jave. Të shtunën, temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 40°C, ndërsa lokalisht mund të ngjiten edhe në 41°C apo 42°C, duke shënuar ditën më të nxehtë të kësaj vere deri më tani.
Pasditja e së shtunës sjell gjithashtu zhvillime të vranësirave dhe rrebeshe të shkurtra shiu, kryesisht në zonat malore, me mundësi që të përfshijnë edhe pjesë të tjera të vendit. Erërat do të fryjnë nga jugu dhe jugperëndimi me shpejtësi mesatare prej 4 deri në 10 m/s, ndërsa gjatë rrebesheve mund të shoqërohen me stuhi të fuqishme, që arrijnë hovshëm mbi 20 m/s (rreth 70 km/h).
Nga dita e dielë, parashihet rënia graduale e temperaturave, me vlera maksimale rreth 32°C deri në 33°C. Moti do të karakterizohet nga rrebeshe lokale shiu me bubullima, veçanërisht në orët e pasdites, që mund të sjellin erëra të fuqishme në zona të caktuara.
Të hënën pritet stabilizim i përkohshëm i kushteve atmosferike me më shumë intervale me diell, por nga e marta sërish rikthehen rrebeshet e shiut, që do të shoqërohen me ulje të mëtejshme të temperaturave.
Për ditën e mërkurë, termometri zbret deri në 24°C, ndërsa temperaturat minimale do të bien nga 20°C-21°C në vetëm 13°C, duke sjellë një ndjesi më të freskët dhe të pranueshme.
Erërat përgjatë ditëve në vijim do të jenë kryesisht të lehta deri mesatare, me drejtim jugperëndimor dhe shpejtësi deri në 11 m/s.