Kosova

Hyland: Konstituimi i Kuvendit do të ndodhë, Kurti meriton edhe një mandat

Ish-zyrtari i administratës amerikane gjatë presidencës së Bill Clinton, Christopher Hyland, ka zhvilluar një takim me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në një kohë kur vendi po përballet me krizë politike pas zgjedhjeve.

Hyland, në një prononcim për Ekonomia Online, u shpreh optimist për tejkalimin e kësaj situate, duke theksuar se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë do të ndodhin së shpejti.

“Takimi shkoi shumë mirë. Ai është një njeri me vetëbesim dhe autoritet. Kjo krizë që po kalon Kosova do të tejkalohet dhe vendi do të ketë një të ardhme më të mirë. Konstituimi i Kuvendit do të ndodhë, ashtu si edhe formimi i Qeverisë,” tha Hyland.

Ai theksoi se partitë opozitare duhet t’ia lejojnë Kurtit një mandat të ri, duke theksuar mbështetjen e madhe që ai ka marrë nga qytetarët.

“Partitë opozitare duhet t’ia lejojnë Kurtit edhe një mandat, sepse ai ka marrë më shumë vota sesa partitë e mëdha të kombinuara,” deklaroi ai.

Duke folur për pozicionin e Kosovës në politikën ndërkombëtare, Hyland nënvizoi se vendi duhet të bëhet pjesë e NATO-s dhe se pengesat aktuale janë të kapërcyeshme.

“Besoj që nëse presidenti Trump do të ishte kryeministër i Kosovës, do të ndiqte të njëjtën politikë. Kosova do të jetë dhe duhet të jetë pjesë e NATO-s. Çfarëdo tensionesh të ketë tani, janë të përballueshme,” tha ai.

Ai gjithashtu kritikoi qëndrimin e Serbisë, duke e cilësuar atë si pengesë për progresin e rajonit.

“Serbia është duke e bllokuar progresin, sepse ata përfitojnë shumë kur nuk ka progres – marrin shumë shpërblime nga BE dhe Rusia,” përfundoi Hyland.

Ky qëndrim vjen në një moment të ndjeshëm për skenën politike në Kosovë, ndërsa pritet vendimi për konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve të fundit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button