Kosova

KQZ hap afatin për regjistrimin e votuesve jashtë vendit për Zgjedhjet Lokale 2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur hapjen e afatit 38-ditor për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës që dëshirojnë të marrin pjesë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se gjatë ditës do të lëshohet në funksion platforma elektronike për aplikim, e cila do t’u mundësojë qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës të regjistrohen për votim përmes postës. Çdo aplikues do të ketë mundësinë të zgjedhë njërën nga dy opsionet: dërgimin e pakos me fletëvotime në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë ose në kutinë postare të KQZ-së jashtë vendit.

Ndryshe nga zgjedhjet e përgjithshme, në këto zgjedhje nuk do të ketë mundësi për votim në përfaqësitë diplomatike të Kosovës jashtë vendit, për shkak të kufizimeve që përcakton Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Regjistrimi aktual do të vlejë edhe për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash. “Në raundin e dytë të zgjedhjeve, të drejtë vote jashtë Kosovës do të kenë vetëm ata që janë regjistruar suksesshëm gjatë këtij afati,” sqaroi Elezi.

Sipas njoftimit të KQZ-së, votimi nga jashtë Kosovës përmes postës do të zhvillohet nga data 17 shtator deri më 11 tetor 2025. Vetëm ata që janë regjistruar si votues jashtë vendit do të kenë të drejtë të votojnë në këtë mënyrë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button