KMDLNj kërkon hetime pas aksidentit tragjik në Gjakovë: “Duhet më shumë siguri për punëtorët”

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër pas vdekjes tragjike të dy punëtorëve ndërtimtarie në Gjakovë, të cilët humbën jetën pasi ranë nga kati i dytë i një ndërtese në ndërtim.
Në një reagim publik, KMDLNj i ka shprehur ngushëllime të sinqerta familjeve të viktimave dhe ka bërë thirrje për hetime urgjente dhe transparente për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Organizata ka kritikuar qeverinë për mungesën e veprimit dhe neglizhencën sistematike ndaj kushteve të rrezikshme të punës në sektorin e ndërtimtarisë. Sipas KMDLNj-së, mungesa e pajisjeve mbrojtëse dhe mosfunksionimi efikas i Inspektoratit të Punës po kontribuojnë në humbjen e jetëve të punëtorëve.
“KMDLNj do të përkrahë çdo protestë të punëtorëve që kërkojnë kushte më të sigurta, sepse e drejta për jetë është e drejtë themelore e njeriut,” thuhet në reagim.
Këshilli thekson se institucionet shtetërore po injorojnë kërkesat e sindikatave dhe po dështojnë të ndërmarrin masa konkrete për të garantuar sigurinë në vendin e punës. KMDLNj paralajmëron se mungesa e reagimit të shpejtë dhe përgjegjës do të përkeqësojë më tej gjendjen e punëtorëve në Kosovë.