Kosova

LDK akuzon Kurtin dhe Muratin për shkelje të Kushtetutës pas vendimit të Gjykatës Supreme

Ish-kryeministri Isa Mustafa ka rikujtuar një vendim të vitit 2017, kur kishte liruar nga detyra një zëvendëskryeministër dhe tetë ministra që kishin fituar mandatin e deputetit, duke theksuar se një funksionar nuk mund të ushtrojë njëkohësisht dy poste të tilla. Kjo deklaratë vjen pas vendimit të fundit të Gjykatës Supreme, e cila e konsideroi të kundërligjshme nxjerrjen e akteve nënligjore nga ministrat që janë njëkohësisht deputetë.

Në reagim ndaj Mustafës, deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, i përkujtoi atij se ishte shkarkuar nga detyra me mocion mosbesimi. Por ky koment ka nxitur reagime të ashpra nga zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të cilët kanë kritikuar qasjen e qeverisë aktuale dhe veprimet e saj pas 27 marsit.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se “në çdo situatë kur nuk ka një qeveri të legjitimuar, ajo quhet qeveri në detyrë”, duke nënvizuar se Isa Mustafa dhe ministrat e kabinetit të tij respektuan Kushtetutën kur u tërhoqën nga qeveria pas zgjedhjeve të rregullta. “E ju, edhe deputetë, edhe ministra. Sipas kësaj logjike, mundeni me qenë edhe prokuror, edhe gjykatës! Ata që e duan Republikën, e ruajnë dhe e respektojnë”, shkroi Haziri në një postim në Facebook.

Ndërkohë, shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar Kurtin dhe Muratin për veprime të jashtëligjshme që nga 27 marsi. Ajo ka bërë thirrje për reagim nga Prokuroria Speciale, duke e cilësuar Muratin si “interpretues të vetëshpallur të Ligjit dhe Kushtetutës”.

“Dogana e Kosovës sot drejtohet nga një person i emëruar në mënyrë tërësisht joligjore dhe jokushtetuese”, ka shkruar Bajrami në Facebook. Ajo ka kërkuar reagim të menjëhershëm të institucioneve të drejtësisë, duke theksuar se “askush nuk është mbi ligjin”.

Zhvillimet vijnë në një kohë kur vendimi i Gjykatës Supreme ka hapur një debat të gjerë për ndarjen e pushteteve dhe respektimin e normave kushtetuese nga ana e qeverisë aktuale.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button