Kosova

Murati kundër Gjykatës Supreme: “Janë bërë horë me vendime absurde”

Ministri në detyrë i Financave dhe njëherësh deputet i zgjedhur, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër ndaj një vendimi të fundit të Gjykatës Supreme, ku është konstatuar se ai ka shkelur ligjin me nënshkrimin e një udhëzimi administrativ, për të cilin, sipas gjykatës, nuk ka pasur kompetencë.

Përmes një postimi në Facebook, Murati ka hedhur poshtë vendimin e Supremes, duke e quajtur “absurd” dhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me aktgjykimin KO124/25 të Gjykatës Kushtetuese.

“Tre gjykatësit e Supremes do të mjaftonte të lexonin Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje, që të mos bëheshin horë kaq publikisht me vendime absurde si ky për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për Arkat Digjitale Fiskale”, ka shkruar Murati.

Ai thekson se, sipas Kushtetueses, një deputet nuk e ushtron funksionin përpara përfundimit të seancës konstituive të Kuvendit. Për rrjedhojë, Murati argumenton se nuk ka pasur asnjë konflikt funksional apo papajtueshmëri kur ka ushtruar detyrën e ministrit, pasi ende nuk ka marrë zyrtarisht funksionin e deputetit.

Në vendimin e vet, Gjykata Supreme ka konstatuar të kundërtën, duke thënë se funksioni i deputetit fillon nga dita e çertifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, dhe bazuar në këtë, ka shpallur të paligjshëm udhëzimin e nënshkruar nga Murati për digjitalizimin e arkave fiskale.

Postimi i ministrit vjen në një kohë kur ai është kritikuar nga ambasadat dhe misionet diplomatike në Kosovë për sulmet publike ndaj gjyqtarëve. Këtë herë, Murati nuk i përmendi me emër gjykatësit, por nuk kurseu gjuhën e ashpër ndaj tyre.

Kjo përplasje mes pushtetit ekzekutiv dhe gjyqësorit ka ndezur një debat të gjerë publik për kompetencat kushtetuese dhe pavarësinë e institucioneve në vend.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button