Kosova

SBASHK-u i pakënaqur me Qeverinë Kurti: “Katër vjet pa dialog dhe me qasje armiqësore ndaj sindikatave”

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka shprehur pakënaqësi të thellë ndaj qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar mungesën e dialogut dhe qasjen kundërshtuese ndaj sindikatave gjatë katër viteve të fundit.

Në një intervistë për emisionin “Fol me Arin”, Jasharaj deklaroi se kërkesat e anëtarësisë së SBASHK-ut, nga çerdhet e deri te universitetet, nuk janë marrë parasysh. Sipas tij, njëjtë janë anashkaluar edhe kërkesat e policisë dhe sektorëve të tjerë.

“Qeveria Kurti në disa raste ka pasur një qasje jo vetëm kundërshtuese, por edhe armiqësore ndaj sindikatave, duke tentuar ta heshtë zërin sindikal. Por këtë nuk ka arritur ta bëjë ndaj SBASHK-ut, dhe këtë e them me përgjegjësi,” theksoi Jasharaj.

Ai gjithashtu kritikoi procesin e ngadalshëm të konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera pas zgjedhjeve të fundit, duke e cilësuar si “zhagitje të pajustifikueshme”.

Ndërkohë, Jasharaj bëri të ditur se sot SBASHK-u ka zhvilluar një kongres të jashtëzakonshëm në platformën online, ku janë diskutuar një sërë çështjesh me rëndësi për sindikatën. Vendimet e marra gjatë këtij kongresi pritet të bëhen publike në orën 14:00 gjatë një konference për media.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button