Kosova

Bllokada e Kuvendit dëmton komunat, qytetarët dhe ekonominë e Kosovës

Bllokada tre mujore e Kuvendit të Kosovës ka filluar të japë efektet e para negative, sidomos në nivel lokal dhe ekonomik. Asociacioni i Komunave të Kosovës paralajmëron se mungesa e funksionalitetit të Kuvendit po i lë komunat pa buxhet dhe po ndalon zbatimin e projekteve zhvillimore.

“Tri komuna – Prishtina, Gjilani dhe Zubin Potoku – ende nuk e kanë të miratuar buxhetin për vitin 2025. Si pasojë, janë duke pësuar në aspektin financiar, pasi nuk po mund të marrin mbështetjen nga fondet e BE-së apo burime të tjera që po mbesin të bllokuara për shkak të masave,” tha Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave për RTV21.

Ai theksoi se vonesat po ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, të cilët nuk po i ndiejnë përfitimet financiare që do të përmirësonin shërbimet lokale. Po ashtu, sipas tij, Kuvendi duhet të miratojë një sërë ndryshimesh ligjore që janë kyçe për funksionimin e pushtetit lokal, përfshirë ligjet për financat lokale, prokurimin publik dhe planifikimin hapësinor.

Përveç sfidave në nivel vendor, moskonsitutimi i Kuvendit ka bllokuar edhe fondet ndërkombëtare. Kosova nuk ka mundur të përfitojë mbi 60 milionë euro nga parapagesat e Planit të Rritjes së BE-së, si dhe 90 milionë euro nga Banka Botërore. Marrëveshjet që mundësojnë alokimin e këtyre fondeve duhet të ratifikohen në Kuvend – një proces që është ndalur si pasojë e krizës institucionale.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, paralajmëron pasoja serioze nëse situata vazhdon: “Kemi mbi 800 milionë euro marrëveshje që presin të ratifikohen. Bëhet fjalë për projekte kapitale që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve.”

Përveç pasojave ekonomike, kriza ka reflektuar edhe në aspektin politik e diplomatik. Ish-diplomati Blerim Canaj tha për RTV21 se mungesa e institucioneve funksionale po e dëmton pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

“Vizita e fundit e një zyrtari amerikan u zhvillua në ambasadë dhe jo në qeveri. Kjo tregon qartë se partnerët ndërkombëtarë po i shohin institucionet tona me rezerva. Kosova është nën sanksione dhe nuk ka strukturë të duhur për të menaxhuar situatën,” tha Canaj.

Ndërkohë, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka shprehur shqetësimin për ngecjen e Kosovës në procesin e integrimeve evropiane, duke theksuar se vendi po humb hapin me fqinjët në zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së dhe në përfitimin nga fondet përkatëse.

Qeveria në detyrë fajëson partitë opozitare për bllokadën, duke i akuzuar se po pamundësojnë miratimin e marrëveshjeve të rëndësishme financiare. Opozita, nga ana tjetër, mohon përgjegjësinë dhe e kthen fajin te qeveria.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button