Ambasada Amerikane në Prishtinë kërkon konstituimin urgjent të Kuvendit: Afati 30-ditor po afrohet

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me vonesat në konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se afati 30-ditor i rekomanduar nga Gjykata Kushtetuese po i afrohet fundit.
“Vërejmë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka rekomanduar që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditëve nga vendimi i saj, dhe kjo datë po afrohet,” thuhet në reagimin e Ambasadës për RTV21.
Ambasada rikujton se është përgjegjësi e lidershipit politik që të respektojë Kushtetutën dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për formimin e institucioneve funksionale – Kuvendit dhe Qeverisë.
“Është përgjegjësi e liderëve politikë që ta konstituojnë Kuvendin dhe të formojnë një qeveri stabile, në përputhje me Kushtetutën”, theksohet më tej në reagim.
SHBA-të riafirmojnë përkushtimin e tyre për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe shprehin gatishmërinë për të bashkëpunuar me qeverinë e re në të ardhmen.
“Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur për një kohë të gjatë zhvillimin demokratik të Kosovës dhe presin të punojnë me qeverinë e ardhshme për të avancuar stabilitetin, sigurinë dhe mirëqenien rajonale”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.
Kriza institucionale në Kosovë ka shkaktuar shqetësime të brendshme dhe ndërkombëtare, ndërsa sytë janë tani te lidershipi politik për të shmangur një krizë më të thellë kushtetuese.