Kosova

Ramiz Lladrovci: Në Hagë po zhvillohet një betejë e pabarabartë kundër heronjve tanë të luftës dhe paqes

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai i ka cilësuar akuzat ndaj tyre si të rënda dhe të shpifura, ndërsa ka theksuar se procesi po zhvillohet në mënyrë të pabarabartë dhe të stërzgjatur.

“Vëmendja për zhvillimet në Hagë është e maksimale”, ka shkruar Lladrovci, duke shtuar se dita e 16 korrikut ishte një ditë me pritshmëri të mëdha për të dhe për të gjithë ata që kanë dhimbje dhe njohuri për ecurinë e këtij procesi gjyqësor.

Sipas tij, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerët po përballen me një “betejë të fundit për të drejtën tonë për t’u mbrojtur dhe për të qenë të lirë nga okupimi serb”, ndërsa akuzat që u janë ngritur janë jo vetëm të rënda, por edhe të pabaza.

“Armët juridike nuk janë të njëjta”, u shpreh Lladrovci, duke aluduar në një trajtim të padrejtë të të akuzuarve në këtë proces.

Kryetari i Drenasit ka vënë në pikëpyetje besueshmërinë e Raportit të Dick Martyt, duke e cilësuar atë si një sajesë të ndikuar nga shërbimet serbe. “Është e qartë se raporti është sajesë, me mungesa të besueshmërisë dhe fakteve të prezantuara nga dëshmitarët, siç e tha njëri nga mbrojtësit: ‘dokumentet në Hagë kanë gjurmë të gishtërinjve serbë’”, theksoi ai.

Në fund të reagimit të tij, Lladrovci shprehu shpresën se drejtësia do të triumfojë dhe se “shpifjet kundër UÇK-së dhe udhëheqësve të saj do të marrin përgjigjen e merituar”. Ai përfundoi duke thënë se “një pjesë e zemrës së Kosovës ndodhet padrejtësisht e ndaluar në Hagë”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button