Ilir Deda kritikon reagimin e Presidentes Osmani për situatën në veri: “A e dini peshën e funksioneve që bartni?”

Ish-deputeti Ilir Deda ka reaguar ashpër pas deklaratës së presidentes Vjosa Osmani, e cila tha se ish-presidenti amerikan Donald Trump ka parandaluar së fundmi një përshkallëzim të mundshëm të situatës në veri të Kosovës nga ana e Serbisë.
Deda ka ngritur një sërë pyetjesh lidhur me seriozitetin institucional përballë një rreziku të tillë të mundshëm për vendin, duke vënë në pikëpyetje funksionimin e shtetit dhe përgatitjen e tij për situata të sigurisë.
“Nëse me të vërtetë paskemi qenë në prag të ‘ndezjes’ me Serbinë, atëherë ku mbeti shteti?”, ka pyetur Deda. Ai kërkoi përgjigje nëse është mbajtur ndonjë mbledhje e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, apo nëse ka pasur ndonjë takim ndërmjet liderëve institucionalë e politikë.
“A pat biseda me udhëheqës të shteteve të mëdha – Francës, Gjermanisë, Italisë e Britanisë? Me shefin e NATO-s? Apo ndonjë komunikatë publike që flet për situatën e sigurisë në rajon dhe nevojën për depërshkallëzim?”, shtoi ai, duke kritikuar mungesën e transparencës dhe koordinimit institucional.
Deda ngriti shqetësimin se institucionet e vendit po veprojnë sikur “të gjithë do të zgjoheshim një mëngjes – pa Kuvend e pa Qeveri – dhe të merrnim vesh se u ‘ndez’ situata me Serbinë”.
“A jeni normal? A keni ndonjë përgjegjësi për këtë shtet? A e dini peshën dhe detyrat e funksioneve që i bartni, apo nuk i jepni pesë pare?”, përfundoi ai me tone të ashpra.