Kosova

Fitore Pacolli: PDK, LDK dhe AAK po bllokojnë konstituimin e Kuvendit – T’u hiqen mandatet atyre që refuzojnë të votojnë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka reaguar ashpër ndaj partive opozitare, duke i akuzuar PDK-në, LDK-në dhe AAK-në për bllokimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Sipas saj, këto tri parti po shkelin si Kushtetutën ashtu edhe Rregulloren e Kuvendit, ndërsa përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të konstituar Kuvendin po pengohen në mënyrë të qëllimshme.

“PDK, LDK dhe AAK po bllokojnë konstituimin e Kuvendit, duke shkelur Kushtetutën dhe rregulloren. Ata po akuzojnë Lëvizjen Vetëvendosje, por është vetë kjo palë që po e bllokon”, ka shkruar Pacolli.

Ajo ka theksuar se kandidatura e Albulena Haxhiut është propozuar në mbi 40 seanca, por mungesa e votave nga opozita ka pamundësuar përparimin institucional.

Deputetja e VV-së ka propozuar masa të ashpra ndaj atyre që, sipas saj, po e pengojnë funksionimin e Kuvendit. “Nëse Kuvendi nuk konstituohet deri në fund të muajit, duhet të merren mandatet nga ata që refuzojnë të votojnë. Nuk mund të vazhdojmë kështu”, ka përfunduar ajo.

Ngërçi institucional vazhdon të thellohet, teksa partitë politike mbeten të ndara mbi përbërjen e kryesisë së Kuvendit dhe drejtimin e tij, me pasoja të drejtpërdrejta për funksionimin e institucioneve të tjera.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button