Vuçiq mohon kërcënimet për luftë, kundërshton deklaratat e Osmanit dhe Trump-it

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka hedhur poshtë deklaratat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, sipas të cilave Beogradi zyrtar po përgatitej për përshkallëzim të një konflikti të mundshëm me Kosovën. Në një deklaratë për media më 12 korrik, Vuçiq theksoi se “nuk kemi angazhuar asnjë ushtar, nuk kemi nisur asnjë makineri, as nuk na shkon mendja. Ne duam të punojmë, të ndërtojmë”.
Reagimi i tij vjen dy ditë pas deklaratës së Osmanit nga Uashingtoni, ku ajo tha se ka “informacion të besueshëm” që ish-presidenti amerikan Donald Trump ka parandaluar një përshkallëzim të situatës së sigurisë, që sipas saj, ishte orkestruar nga Serbia ndaj Kosovës.
Vuçiq, nga ana tjetër, tha se çështja e përshkallëzimit nuk ishte temë diskutimi në takimin që ai pati më 12 korrik me përfaqësues të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, duke shtuar me ironi: “A mendoni që mund të bëhet diçka pa e ditur amerikanët dhe kinezët se çfarë po ndodh?”.
Në postimin e tij në Facebook, Vuçiq tha se me zyrtarin amerikan Brendan Hanrahan kanë diskutuar për sigurinë në Ballkanin Perëndimor, marrëdhëniet bilaterale dhe çështje globale, duke theksuar se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe dialogut.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës dhe Ministria për Punë të Brendshme nuk kanë dhënë detaje mbi atë që Osmani e quajti “rrezik real për sigurinë nga Serbia”.
Deklaratat e presidentes Osmani janë mbështetur në mënyrë të tërthortë edhe nga ish-presidenti amerikan Donald Trump, i cili në disa deklarime të fundit ka pretenduar se gjatë mandatit të tij parandaloi një luftë mes Kosovës dhe Serbisë. Më 15 qershor, përmes rrjetit të tij Truth Social, Trump shkroi se “lufta ishte në prag” dhe se ai e kishte ndalur atë, ndërsa më vonë përmendi se kishte përdorur presion tregtar për të shmangur përshkallëzimin.
“Thashë: a do të luftoni? Ne nuk do të bëjmë tregti. Dhe, duket se kjo ka qenë mjaft e suksesshme”, tha Trump më 9 korrik, duke theksuar se SHBA-ja gjatë mandatit të tij kishte parandaluar disa konflikte ndërkombëtare, përfshirë edhe atë mes Kosovës dhe Serbisë.
Këto deklarata vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme në veri të Kosovës, të banuar kryesisht nga serbë. Përshkallëzimi i fundit ndodhi në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur serbësh, i udhëhequr nga Millan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, duke vrarë një rreshter policie. Ngjarja u cilësua nga Kosova si akt terrorist dhe Prishtina zyrtare e akuzoi Serbinë si përgjegjëse – gjë që Beogradi e mohoi.
Presidentja Osmani e përmendi edhe këtë incident gjatë vizitës së saj në SHBA, duke e cilësuar si një paralajmërim për rrezikun që ende ekziston dhe duke kërkuar frenim jo vetëm ushtarak, por edhe politik ndaj Serbisë.