Osmani: Marrëveshja e Uashingtonit është zbatuar, por potenciali me SHBA-në shkon përtej saj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Marrëveshja e Uashingtonit e shtatorit 2020 tashmë është zbatuar. Deklarata u bë gjatë një diskutimi në Institutin Hudson në Uashington, ku Osmani iu përgjigj pyetjeve mbi mundësinë e ringjalljes së kësaj marrëveshjeje dhe lidhjen e saj me vizitën e zyrtarit të lartë amerikan, Brendan Hanrahan, në Kosovë.
“Marrëveshja e Uashingtonit është zbatuar, por aty ku shoh më shumë potencial është të shkosh përtej saj. Përvoja jonë me administratën Trump është se ata janë veprues, ata i kryejnë gjërat”, u shpreh Osmani, duke theksuar nevojën për hapa më të mëdhenj në drejtim të paqes afatgjatë në rajon.
Presidentja kosovare theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik me Shtetet e Bashkuara, duke e quajtur atë një “shumëzues force” për lidershipin global të Amerikës, sidomos në kontekstin e konkurrencës me Kinën.
“Ne duhet t’i ndihmojmë Shtetet e Bashkuara të rrisin rolin e tyre në ekonominë botërore. Dhe mendoj se kjo mund të bëhet përmes ndihmës së vendeve që janë pro-amerikane”, tha Osmani, duke përmendur se mbi 97% e popullit të Kosovës kanë besim në SHBA-të dhe në lidershipin e tyre.
Sipas saj, lidhja me Amerikën nuk është thjesht ideologjike, por mbështetet në përvojë konkrete dhe rezultate të prekshme që Kosova ka përjetuar ndër vite.
“Pavarësisht se Kosova është një vend i vogël, ne kemi disa ide të mira se si kjo marrëdhënie ekonomike mund të ecë përpara”, përfundoi Osmani.