Vjosa Osmani: Trump parandaloi eskalim në kufirin Kosovë–Serbi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se ish-presidenti amerikan Donald Trump ka luajtur një rol vendimtar në parandalimin e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo është hera e dytë që Osmani i atribuon Trump-it ndalimin e një tensioni të inicuar, sipas saj, nga ana e Beogradit.
Gjatë një diskutimi në Institutin Hudson në Shtetet e Bashkuara, Osmani theksoi se përpjekjet e Serbisë për të nxitur destabilizim në veri të Kosovës u ndalën për shkak të angazhimit personal të Trump-it.
“Siç e ka thënë Presidenti Trump, ai e ka parandaluar një tension, e ka parandaluar një eskalim, atë që Serbia po përpiqej ta bënte në kufirin me Kosovën. Por, ishte angazhimi i tij personal dhe roli i tij që e parandaloi – që është një lidership i vërtetë në ruajtjen e paqes,” u shpreh Osmani.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë jetike të rolit amerikan në ruajtjen e stabilitetit në rajon:
“Sepse paqja, siç e dimë të gjithë nga lufta në Ukrainë, nuk duhet të merret kurrë si e mirëqenë. Është diçka që duhet mbrojtur dhe kultivuar vazhdimisht. Roli i Shteteve të Bashkuara në këtë përpjekje është thelbësor, i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm.”
Osmani aktualisht ndodhet për vizitë zyrtare në SHBA, ku ka zhvilluar takime me përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe institute të njohura kërkimore që merren me çështje të Ballkanit.
Ndërkohë, deklaratat e saj për rolin e Trump-it nuk janë komentuar nga Qeveria e Kosovës. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se për çështjen e eskalimit të mundshëm “duhet pyetur Presidentja”. Edhe NATO ka shmangur komentimin direkt, duke theksuar për Gazetën Express se për këtë temë duhet pyetur Kosova dhe Shtetet e Bashkuara.