Kosova

Osmani në Hudson Institute: Vuçiqi ecën dhe flet si rosë – është ende në mendësinë e Millosheviqit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në një panel në Institutin Hudson gjatë vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka folur për paqen dhe stabilitetin në Europë, si dhe për rolin jetik të SHBA-ve në kontinentin europian.

Duke u përgjigjur ndaj një pyetjeje rreth presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, Osmani rikujtoi të kaluarën e tij politike, duke e lidhur me regjimin e ish-kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq.

“Duhet ta them, të gjithë kemi kaluar nëpër luftë, ishim fëmijë të luftës, kemi kaluar nëpër një luftë të tmerrshme, por nuk kemi marrë pjesë në kryerjen e krimeve. Ndërsa kur e sheh Vuçiqin, ai ishte ministër i propagandës së Millosheviqit. Dua të them, është e vërteta. Ecën si rosë dhe flet si rosë, është…”, tha Osmani, duke përdorur një idiomë amerikane për të përshkruar natyrën e pa ndryshuar të Vuçiqit.

Ajo theksoi se presidenti serb vazhdon të mbajë të njëjtën ideologji si në vitet ’90, duke shtuar se kjo është e dëmshme jo vetëm për Serbinë, por për gjithë rajonin dhe aleatët ndërkombëtarë që përballen me taktikat destabilizuese të tij.

“Është për të ardhur keq për popullin e Serbisë, për vendin që ai drejton dhe për të gjithë aleatët tanë që detyrohen të merren me këto taktika. Ai flet për Serbinë e Madhe apo botën serbe – është një kopje e librit të Putinit”, shtoi Osmani.

Deklarata e saj ka nxitur reagimin e ashpër të Petar Petkoviqit, drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe. Përmes një postimi në platformën X, ai përdori gjuhë fyese ndaj presidentes Osmani, duke shkruar:
“Vjosa nuk e fsheh më sa e fiksuar është me Vuçiqin, kudo që shkon, goja e saj është veç Vuçiq. Tani ajo ka shkuar një hap më tej dhe madje sheh edhe një rosë.”

Pavarësisht gjuhës së përdorur nga zyrtari serb, Osmani nuk ka reaguar ndaj deklaratës së tij.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button