Kosova

Punëtorët e sigurimit fizik në QKUK hyjnë në grevë: Kërkohet zgjidhje urgjente për çështjen e punësimit

Punëtorët e sigurimit fizik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kanë hyrë në grevë të përditshme nga ora 10:00 deri në 15:00, në shenjë proteste për moszgjidhjen e çështjes së punësimit të tyre. Greva, e mbështetur nga Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, do të vazhdojë derisa të plotësohen kërkesat e tyre.

Kryetari i Federatës, Jusuf Azemi, deklaroi se situata ka tejkaluar çdo afat të arsyeshëm dhe fajësoi menaxhmentin e QKUK-së për vonesat në finalizimin e tenderit për sigurimin fizik. Ai theksoi se sipas informacioneve zyrtare nga KRPP dhe OSHP, procedura mund të përmbyllet për tri ditë – madje edhe për tri orë – nëse ekziston vullneti.

“Për dy javë ditë nuk kemi lënë derë pa hapë që ta zgjidhim këtë problem. Nga KRPP dhe OSHP kemi marrë konfirmim se QKUK-ja ka duart e lira për të vendosur. Ky proces po vonohet për përfitime personale të disa individëve brenda QKUK-së. Edhe Policia e Krimeve Ekonomike ka nisur hetimet për të verifikuar këtë tender,” tha Azemi.

Ai shtoi se qindra punëtorë janë lënë pa të ardhura, duke u përballur me kredi dhe gjendje të rëndë financiare. Azemi gjithashtu nënvizoi se shumë prej tyre, sidomos ata që vijnë nga viset më të largëta, nuk kanë as mundësi financiare për të udhëtuar drejt vendit të punës.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Sigurimit Fizik të QKUK-së, Hakif Sylejmani, kërkoi një sqarim institucional dhe vendim të qartë për fatin e punëtorëve.

“Ne përballen me padrejtësi të mëdha brenda institucionit. Kërkojmë kthimin e menaxhimit të brendshëm dhe trajtim dinjitoz,” theksoi Sylejmani.

Greva vjen si reagim ndaj zvarritjes së vendimit për tenderin dhe kërkon një zgjidhje të menjëhershme për të rikthyer punëtorët në pozitat e tyre.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button