Limaj pas dështimit të 45-të për konstituimin e Kuvendit: Do ta ftoj Kurtin për kafe javën tjetër, duhet ta vendosim shtetin në epiqendër

Pas dështimit të 45-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se përpjekjet për tejkalimin e ngërçit politik do të vazhdojnë. Ai ka paralajmëruar një takim të mundshëm me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, javën e ardhshme.
“Kena me vazhdu me pas takime. Kryeministri, nëse nuk gaboj, është në Bosnjë. Kam ndërmend edhe unë me ftua me pi kafe – kështu me tentu që të gjejmë zgjidhje. Sot kthehet, mendoj javën e ardhshme do ta ftoj”, deklaroi Limaj për media, duke shtuar se palët politike tashmë kanë bërë lëshime nga pozicionet fillestare.
“Ne kemi lëvizur shumë nga pozicioni. Krejt i kemi ofruar mundësit tona”, theksoi ai.
Limaj u shpreh se çështja nuk është më thjesht politike, por shtetërore, dhe zgjidhja e ngërçit duhet të fokusohet në funksionalizimin e institucioneve demokratike.
“Kam përshtypjen që ky ngërç përfundimisht duhet të kalohet duke vendosur në epiqendër shtetin. Shtetin çdo ditë duhet ta meritojmë e ta mirëmbajmë për ta pasur – nuk është diçka e mirëqenë”, përfundoi Limaj.