Kosova

KQZ njofton: Ndërrimi i Qendrës së Votimit nga një komunë në tjetrën kërkon ndryshim të adresës në Gjendjen Civile

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se votuesit mund të ndryshojnë Qendrën e Votimit, por me disa kufizime procedurale. Sipas njoftimit zyrtar, ndërrimi i Qendrës së Votimit brenda të njëjtës komunë është i mundur përmes KQZ-së, ndërsa për të votuar në një komunë tjetër, është e domosdoshme që votuesi të ndryshojë adresën e vendbanimit përmes Zyrës së Gjendjes Civile ose platformës E-Kosova.

“Përmes KQZ-së, votuesi, nëse dëshiron, mund të ndryshojë Qendrën e Votimit vetëm brenda komunës. Por, për të kaluar nga një Qendër Votimi e një komune në një tjetër, votuesi duhet të ndryshojë adresën e tij në Zyrën e Gjendjes Civile apo në platformën E-Kosova,” thuhet në njoftim. Ndryshimi i adresës pasqyrohet automatikisht në Regjistrin Qendror Civil dhe më pas edhe në sistemin e KQZ-së.

KQZ ka njoftuar se çdo ndryshim i adresës së banimit i bërë deri më 29 gusht 2025 do të reflektohet në platformën zyrtare të KQZ-së https://qv.kqz-ks.org, si dhe në Listën Votuese për zgjedhjet e ardhshme.

Gjatë periudhës nga 28 qershori deri më 29 gusht, qytetarët me të drejtë vote mund të verifikojnë ose ndryshojnë Qendrën e tyre të Votimit, duke zgjedhur atë më të afërt me vendbanimin e tyre aktual në komunën përkatëse.

Ndryshimi i Qendrës së Votimit mund të bëhet:

Përmes platformës elektronike të KQZ-së: https://qv.kqz-ks.org

Duke paraqitur kërkesë në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është i regjistruar votuesi

KQZ inkurajon qytetarët të përfitojnë nga kjo mundësi për të lehtësuar procesin e votimit dhe për të siguruar që të jenë të përfshirë në mënyrë të drejtë në listat zgjedhore.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button