Kosova

“S’ka rrezik për përsëritje, sepse këta janë në kryerje të detyrës” – Mbrojtja kundërshton paraburgimin e policëve në rastin e Lipjanit

Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për rreshterin Ibrahim Nela dhe katër zyrtarët policorë: Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, të cilët po dyshohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” në rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu.

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Prokuroria ka argumentuar se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale dhe se masa të tjera më të lehta nuk do të siguronin mbarëvajtjen e procedurës penale. Prokurori i rastit, Paulin Pashku, tha se tensionet mes familjarëve të viktimës dhe të pandehurve përbëjnë rrethana që justifikojnë këtë masë. Ai u thirr në nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe rastin “Ostendorf kundër Gjermanisë”, për të mbështetur kërkesën për paraburgim.

Gjatë seancës dëgjimore, avokatët mbrojtës e kundërshtuan ashpër kërkesën e Prokurorisë, duke pretenduar se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar ndaj klientëve të tyre. Ata theksuan se zyrtarët kanë vepruar në përputhje me autorizimet ligjore dhe ishin në përmbushje të detyrave të tyre policore.

Avokati Valdet Zeqiri, që mbron rreshterin Nela, deklaroi se klienti i tij ka vepruar në bazë të ligjit dhe se nuk ka asnjë provë materiale që e lidh atë me veprën penale. Në të njëjtën linjë, avokatët Urim Vokshi, Blendi Bekteshi, Flamur Bllacaku dhe Besnik Berisha, që përfaqësojnë zyrtarët tjerë, argumentuan se nuk ekzistojnë kushte ligjore për paraburgim dhe se Prokuroria nuk ka ofruar asnjë dëshmi konkrete që e lidh ndonjërin nga të dyshuarit me vdekjen e Zejnullahut.

Në vendimin e saj, Gjykata vlerësoi se kërkesa e Prokurorisë është e bazuar, duke theksuar se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale për shkak të rrethanave dhe tensioneve të krijuara pas ngjarjes. Gjithashtu, u theksua se vendimi për paraburgim ka për qëllim edhe parandalimin e ndonjë përshkallëzimi të mëtejmë të konfliktit me palët e dëmtuara.

Të gjitha kërkesat e mbrojtjes për mbrojtje në liri janë refuzuar nga Gjykata, me arsyetimin se janë të paarsyetuara dhe nuk mbështeten në prova konkrete.

Rasti ka ngjallur reagime të mëdha publike, ndërsa hetimet për rrethanat e vdekjes së Agon Zejnullahut janë ende në zhvillim e sipër. Prokuroria ka njoftuar se po priten rezultatet e autopsisë dhe analizat toksikologjike për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button