Kosova

ZRRE i jep licencë për tregti të energjisë kompanisë së themeluar nga shefi i stafit të Kurtit

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) i ka dhënë licencë për tregtim të energjisë elektrike kompanisë “Management & Development Associates” (MDA), e themeluar nga Luan Dalipi, shefi i stafit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Kompania tashmë figuron në emër të vëllait të tij, Driton Dalipi.

Në njoftimin e publikuar pas mbledhjes së tetë të Bordit të ZRRE-së për vitin 2025, thuhet se është aprovuar aplikacioni për licencim për furnizim me shumicë të energjisë elektrike për dy kompani: “Management & Development Associates” dhe “Energy Kosova V.B”.

“Më 10.07.2025, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka shqyrtuar dhe aprovuar aplikacionet për licencim të aktivitetit për furnizim me shumicë (tregtim) të energjisë elektrike të ‘Energy Kosova V.B’ sh.p.k dhe ‘Management & Development Associates’ sh.p.k”, thuhet në njoftim.

Sipas dokumenteve zyrtare, kompania MDA, e regjistruar në emër të Driton Dalipit në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), ishte themeluar në vitin 2004 nga Luan Dalipi. Në deklarimin e pasurisë të vitit 2021, Dalipi kishte bërë të ditur se ishte bashkëthemelues dhe ish-aksionar i kësaj kompanie deri në vitin 2017, duke theksuar se pjesa më e madhe e pasurisë së tij rridhte pikërisht nga të ardhurat dhe dividentat e MDA-së.

Në të njëjtin deklarim, Dalipi kishte përshkruar një aktivitet intensiv të kompanisë: punësim të rreth 30 profesionistëve dhe një qarkullim vjetor mesatar prej 1 deri në 2 milionë euro për periudhën 2008-2019.

Pavarësisht licencimit të MDA-së, vetë Dalipi ka mohuar çdo përfshirje në aktivitetet e tanishme të kompanisë, duke deklaruar më 30 maj se vëllai i tij është “një qytetar i lirë që pas 20 vitesh punë në biznes ka vendosur të hyjë në tregun e liberalizuar të energjisë”. Ai nënvizoi se ZRRE është institucion i pavarur që i raporton Kuvendit dhe jo Qeverisë.

Në të njëjtën seancë, ZRRE miratoi edhe 25 kërkesa për vetë-konsum të energjisë nga burime të ripërtëritshme, me një kapacitet total të instaluar prej 1282 kW, si dhe shqyrtoi disa ankesa të konsumatorëve dhe çështje tjera që lidhen me funksionimin e institucionit.

Licencimi i një kompanie të lidhur me zyrtarë të lartë qeveritarë ka ngritur diskutime për mundësinë e konfliktit të interesit, ndonëse formalisht nuk figurojnë më si aksionarë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button