Çitaku kritikon Kurtin pas deklaratës për rastin Zejnullahu: “Ti je ai që dikur ke hedhur gurë mbi Policinë”

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me rastin tragjik të vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, ku si të dyshuar janë pesë zyrtarë policorë.
Kurti, në deklarimin e tij për media, tha se tendenca për të nisur një fushatë kundër Policisë së Kosovës është e dëmshme dhe jo zgjidhje, duke kërkuar kujdes në trajtimin publik të rastit.
Por Çitaku, përmes një postimi në rrjetet sociale, tha se për dallim nga Kurti, PDK-ja gjithmonë e ka respektuar Policinë e Kosovës – si në opozitë, ashtu edhe në qeverisje.
“Ti je ai që dikur ke hedhur gurë e mllef mbi Policinë. Sot ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë përveç hetim profesional dhe përgjegjësi politike për rastin,” shkroi ajo.
Ajo shtoi se nëse Kurti do të kishte respekt të sinqertë për Policinë, do t’u siguronte kushte më të mira pune, do t’u rritej paga dhe nuk do t’u shkurtoheshin trajnimet.
“Mos i lini pa këpucë, pa uniforma, dhe me trajnime vetëm tre mujore,” përfundoi ajo.