Kosova

Përfundon seanca për pesë policët e përfshirë në rastin e Lipjanit

Ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj pesë zyrtarëve të Policisë së Kosovës që dyshohen për “vrasje nga pakujdesia” në rastin e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu nga Lipjani. Të dyshuarit janë paraqitur sot në mëngjes para Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për secilin nga pesë zyrtarët, por ende nuk është bërë e ditur nëse gjykata ka miratuar këtë kërkesë.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të së hënës, në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan, ku Zejnullahu ndërroi jetë me pranga në duar. Sipas Policisë, ndaj tij ishte ndërhyrë me qëllim neutralizimi, pasi dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit dhe po shkaktonte rrezik për kalimtarët dhe automjetet.

Të arrestuarit janë një rreshter dhe katër zyrtarë të tjerë policorë. Ata u prangosën në mbrëmje nga Inspektorati Policor i Kosovës, ndërsa rasti është klasifikuar si “vrasje nga pakujdesia”.

Mediat janë ende në pritje të vendimit të gjykatës, ndërsa pritet që zyrtarët policorë të dalin nga objekti gjyqësor gjatë ditës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button