Abdixhiku lavdëron Paris Gurin pas përballjes me VV-në në Kuvend: “E ardhmja është e bukur”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përgëzuar publikisht deputetin e ri të partisë, Paris Guri, për paraqitjen e tij të parë në foltoren e Kuvendit të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku e vlerësoi lart prezencën e Gurit, duke thënë se ajo ishte më e fuqishme se “britmat e pakontrolluara të një turme”, duke iu referuar tensioneve me disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), të cilët e kanë penguar Gurin gjatë fjalimit të tij duke i folur nga vendet.
“Prezenca e një djali të ri në foltore, e para e tij, u bë sot më e fuqishme se britmat e pakontrolluara të një turme. Turma ra. Parisi nisi. Paris Guri, krenar me ty. E ardhmja është e bukur”, shkroi Abdixhiku, duke cituar edhe një fjali nga seriali i animuar “Rick and Morty”: “Kundërshtimet e juaja s’më lënë përshtypje. Kam parë çfarë duartrokitni.”
Paraqitja e Paris Gurit në Kuvend u vlerësua si një qëndrim i qartë dhe sfidues ndaj presionit verbal që i erdhi nga radhët e VV-së. Ai u bë pjesë e debatit për formimin e komisioneve dhe konstituimin e legjislaturës së re.